“Trojet shqiptare në Maqedoni, nuk i ka pushtuar Maqedonia, por Serbia!”

“Kjo Shqipëri e sotme, është rezultat i pafuqisë shqiptare, i orientimit të gabuar, mungesës së aleatëve dhe në anën tjetër, dëshmon për aleancën sllave, ortodokse dhe perëndimore në favor të Serbisë. Pra, Republika e sotshme shqiptare është pasojë e dështimit tonë në fushëbetejë dhe në tryezë. Shqipëria është ndjenja e vogëlsisë shqiptare.

Ajo gjithmonë na rikujton gabimet tona, orientimin e rrejshëm, braktisjen tonë nga Europa, animin e saj dhe diskriminimin në skenat politike ndërkombëtare. Serbia jo vetëm se ka shkëputur krahina shqiptare nga vendi ëmë, por me qindra mijëra veta ka dëbuar në Turqi, ku sot janë asimiluar. Arbëreshët nuk janë asimiluar edhe pas pesë shekujve. Edhe diaspora shqiptare nga ish Jugosllavja, është pasojë e politikës serbe. Ndërgjegjja e Serbisë ndaj popullit shqiptar është aq e ndyrë, sa nuk bëhet më. Tragjedia dhe fragmetarizimi shqiptar mban vulën serbe! Për këtë duhet biseduar me Tadiçin, nëse beson se nuk është pinjoll i Millosheviçit dhe nxënës i projekteve skolastike serbe.

Mali zi nuk ka pushtuar hinterlandin e Shkodrës pa ndihmën serbe dhe nuk do të kishte mundur ta zaptojë kurrë. Trojet shqiptare në Maqedoni, nuk i ka pushtuar Maqedonia, por Serbia. Tadiçi nuk ka përmendur këto troje të sekuestruara në dobi të vëllezërve sllav, por foli për një rikufizim midis Shqipërisë dhe Serbisë. Pse? Në mes të tjerash, Tadiç u tregoi ideatorëve të kombit të ri, se ai nuk i sheh shqiptarët e Kosovës si “kosovari”, siç do t’ i kishte pëlqyer atij nga gjellëtorja “kosovska çorba”, por shqiptarë.

Jo pse na donë Tadiçi, por ai ka frikë se kombi shqiptar bashkohet dhe për të mbijetuar ai në skenën serbe, përpiqet ta zmadhojë edhe një herë Serbinë. Nëse një ditë Kosovës i hiqet tutorizmi dhe nëse një ditë Shqipëria bën politikë kombëtare, si grekët për shembull, si maqedonët, si serbet, si kroatët etj., atëherë demokracia nuk ka fuqi ta ndalojë bashkimin e asaj që ka bashkuar Zoti, gjaku, gjuha, gjeografia, historia, tradita, bashkëvajtja, bashkëvuajtja, dhembshuria, fati dhe jeta dhe, i ka ndarë: lufta, pushtimi, nënshtrimi dhe padrejtësia. Rrjedhimisht: krimi shtetëror”.

Pjesë nga shkrimi i autorit Naser Aliu