Si gratë shqiptare nuk ka në botë! Vërtetohet kjo/ Ja çfarë po bëjnë: Tani të gjithë do i dinë vlerat e tyre dhe Shqipërisë

Trashëgimia kulturore është kujtesë dhe identitet historik, duke qenë dëshmitare e jetës socio-kulturore të popujve. Madje ajo që i dhuron më shumë madhështi kësaj sfere është rifreskimi i të vjetrës. Shoqata “Swiss Albania Event” për të sjellur këtë freski, ka organizuar ekspozitën online me punime artizanale “Tradita dhe roli i gruas në diasporë”, shkruan KultPlus. E veçanta e punimeve të cilat përbëjnë trashëgimi kulturore qëndron në përcjelljen e tyre brez pas brezi. Grepin, rruazat, manovrimet me ngjyra, qilimat, qepjen në familjet shqiptare do të mund ta shihnim te vajza, nëna dhe gjyshja ndër histori.

Mirëpo, përveç promovimit të punës së gruas, kjo ekspozitë koncentrohet edhe te një kategori tjetër, e të cilat janë gratë e diasporës. Në kohën kur organizatorët pranonin punimet e grave të diasporës, gjatë muajve qershor-gusht, janë grumbulluar 200 punime, mirëpo 80 prej tyre do të jenë të parat që do të ekspozohen online në faqen e shoqatës “Swiss Albania Event”, për t’ua lënë vendin të tjerave tutje.

Për përfshirjen dhe promovimin e kësaj pjese të shoqërisë padyshim që kishte ndikim edhe historia personale e organizatores, Aina Hoti, e cila qysh prej moshës 10 vjeçare jeton dhe vepron në diasporë. “Në fakt e gjithë ideja e kësaj ekspozite online më ka ardhur pikërisht kur bisedonim me kolege e mikesha, se si duhej t’i ekspozoja këto punime sepse po të shikoni me detaje aty ka traditë dhe fantazi brenda familjes shqiptare”, thekson organizatorja Hoti për KultPlus.

Drejtoresha e shoqatës “Swiss Albania Event” për ekspozitën e përkrahur nga Ambasada e Shqipërisë në Bern, shpjegon procedurën e grumbullimit të punimeve, duke e vlerësuar si të lehtë këtë periudhë për shkak të komunikimit me miq dhe familjarë të cilët kishin ruajtur këso lloj punimesh nga e kaluara. Për përfshirjen e vajzave dhe grave të diasporës në këtë ekspozitë, Aina shprehet se ato janë trashëgimtare të kulturës dhe traditës përmes këtyre punimeve.

“Femrat shqiptare janë gra të rralla nga duart dhe shpirti për atë çfarë krijojnë. Që të dyja i prodhojnë art: artin e punës së dorës dhe artin e mikpritjes e buzëqeshjes”, vlerëson Hoti. Aina rrëfen se si kjo kategori është përherë e përfshirë në çdo ide të organizimeve të saja. Këtë ia lehtëson asaj entuziazmi i grave dhe vajzave të diasporës, të cilat bëjnë përpjekje që trashëgimia mos të mbetet në qarqet familjare, por të depërtoj në hallkat kulturore. Poashtu, qëllimi kryesor mbetet ruajtja dhe përcjellja e traditës kulturore të diasporës.

“Gratë në diasporë kanë një prurje të re në trashëgimi përmes realizimeve të tyre artizanale-kulturore. Në to përfshihet vlerësimi historik, bashkimi me të sotmen, ndjesia e besimit dhe krenarisë për të përshfaqur origjinën e kulturës që i dallon me pasurinë identitare të saj. Kjo ndjehet edhe në motivet e ngjyrat”, thekson Hoti. Ekspozita e cila përfshin mosha të ndryshme, është e përbërë nga punimet prej rruazave, grepi, përdorimi i ngjyrave.

“Ndjehet në këto punime eleganca e prekjes të rruazave dhe e kombinimit të tyre, ritmi i grepit me ndjesinë e inspirimit dhe ngjyrat e theksuara, që i bëjnë këto krijime të rrezatojnë”, vlerëson Aina teksa shpjegon për punimet e grave dhe vajzave. Ajo e ndjen veten përgjegjëse për organizime dhe promovime të tilla kulturore sepse e sheh trashëgiminë si burim identitar dhe diferencial. Madje ajo mendon se rrugëtimi individual nuk është i plotë pa trashëgiminë përbrenda komunitetit.

“Misionin që një popull e ka kryer në një epokë të caktuar është kthyer në trashëgimi, dhe ajo çfarë të gjithë ne sot e kryejmë si angazhim objektiv e kulturor-identitar, do të kthehet në trashëgimi”, thekson organizatorja e ekspozitës online “Tradita dhe roli i gruas në diasporë”. Dashurinë për kulturën Aina e ka të trashëguar nga babai i tij, Rajmond Hoti, i cili kishte qenë piktor. Krijuesit artistik ende i ekspozohen veprat e tij nëpër institucione kulturore, ndër të cilat vajza e tij përmend se ai ishte krijues i shpatës dhe mburojës së Skënderbeut në Muzeun Kombëtar dhe atë të Krujës.

“Nuk transmetuam pasionin e tij, por për mua është shembull i krijimit të një gjëje të bukur, mbase është dhe një nga arsyet që gjithmonë me pëlqen të krijoj gjëra të bukura e sigurisht me vlerë”, shprehet me mallëngjim Aina. Me KultPlus ajo ndan edhe përvojën e themelit të shoqatës “Swiss Albania Event” në vitin 2017, teksa thekson se synimi kryesor i tyre mbetet promovimi i vlerave të mirëfillta kulturore. “Fokusi i “Swiss Albania Event” është arti, në veçanti muzika dhe veglat tradicionale muzikore, kulinaria dhe turizmi në përgjithësi”, thekson drejtoresha e “Swiss Albania Event”