Një lajm fantastik, rreth dy mijë shqiptarë pjesë e ushtrisë zvicerane

Shifrat jozyrtare thonë se rreth 2 mijë shqiptarë mund të jenë pjesë e ushtrisë së Zvicrës, shkruan albindo.
Por, numri i saktë nuk mund të dihet sepse përgjigja e autoriteteve të ushtrisë është se Zvicra ka ushtarë zviceranë dhe jo ushtarë të huaj

Elmedin Jashari është një ushtar shembullor dhe i dalluar në Ushtrinë e Zvicrës. Ky i ri shqiptar i moshës mbi 20 vjeçare ka treguar përkushtim dhe përgjegjësi si pjesëtar i kësaj ushtrie.
“Unë jam shumë i gëzuar dhe krenar që jam pjesë e ushtrisë zvicerane dhe po kryej një obligim si shtetas i këtij vendi. Me këtë dëshmojmë se jemi shembull pozitiv duke dhënë kontribut edhe në ushtrinë e Zvicrës”, rrëfen Elmedini.

Janë me mijëra shqiptarë që sot mbajnë uniformën ushtarake të Zvicrës. Deri tani nuk ka një numër të saktë se sa është ky numër, për shkak se ata evidentohen si shtetas të Zvicrës.
Shifrat jozyrtare që qarkullojnë nëpër kuluaret e instituteve dhe medieve zvicerane thonë se rreth 2 mijë shqiptarë sot mund të jenë pjesë efektive e ushtrisë së këtij vendi.

Por, asnjëherë nuk mund të dihet numri i saktë, sepse përgjigja zyrtare e autoriteteve të ushtrisë është se Zvicra ka ushtarë zviceranë dhe jo ushtarë të huaj apo bëhet fjalë për ushtri “multietnike”.

Këtë e ka deklaruar në një deklaratë të fundit edhe zëdhënësi i ushtrisë zvicerane, Christoph Brunner, duke theksuar qartë se “në ushtrinë zvicerane ka vetëm zviceranë”. Kjo deklaratë lë për të nënkuptuar faktin se të huajt konsiderohen shtetas zviceranë dhe assesi nuk bëhen ndarje.