Nënë Tereza e doni Shqipërinë duke dashur njëri tjetrin

Nënë Tereza e ripreku tokën shqiptare, pas një ndalimi prej gati një gjysmë shekulli, në verën e vitit 1989. Sido që shumë vonë, Nënë Tereza është i pari personalitet i botës shqiptare jashtë Shqipërisë shtetërore që zbriti në aeroportin që sot mban emrin e saj.

Një shumicë figurash të tjera, ndonëse jo të së njëjtës shkallë majoritare, si: Martin Camaj, Namik Ressuli, Isuf Luzaj e të tjerë, nuk patën fat ta rishihnin më Shqipërinë: fillimi i dekadës së fundme të shekullit të kaluar qe shumë vonë për ta. Vizita e saj e Nënë Terezës në Tiranë, sikurse dihet, u përjetua me një ndjenjë papriturie.

Lindën shumë pikëpyetje për këtë hap të ndërmarrë nga autoritetet shtetërore të vendit, duke pasur parasysh se në shembëlltyrën e saj kryqëzoheshin dy misione: njëri fetar dhe tjetri humanitar (bamirësie). Të dyja këto misione në atë kohë zyrtarisht ishin “të tepërt” për Shqipërinë. Me përfundimin e periudhës ideokratike Nënë Tereza erdhi disa herë në Shqipëri, ku kishte, tashmë, misionin e motrave të saj, me përhapje në gjithë botën. Qendrimi i Nënë Terezës në Shqipëri përgjithësisht ka qenë i pabujshëm, larg shtypit.

Nënë Tereza nuk dha kurrë ndonjë konferencë shtypi, nuk ftoi kurrë gazetarë për të bërë deklarata dhe për ta ndërfutur veten në jetën publike. Kjo ishte mënyrë jetese për të kudo dhe jo një qendrim i zgjedhur për kohën e qendrimit në atdheun e saj, në Shqipëri. Thelbi i këtij qendrimi ishte krejtësisht i përkundërt me protagonizmin që karakterizonte jetën shqiptare në atë kohë e më vonë. Zor të thuhet se modeli i shërbimit të heshtur që solli në Shqipërinë e pamjaftueshme për ambicie dhe ego qeverisëse të ketë ndikuar tek bartësit e tyre.

Në një prej vizitave të fundme të Nënë Terezës në atdhe, në muajin prill të vitit 1993, na u mundësua një takim i posaçëm me të, qëllimi i të cilit, sipas parashikimit, ishte realizimi i një bashkëbisedimi për Shqipërinë dhe shqiptarët. Nënë Tereza pranoi të fliste për dy-tre minuta para mikrofonit për këtë çështje, por në formën e një kumti. Thelbi i mesazhit të saj, i cili u botua pas dy ditësh në gazetën “Shqip”, ishte bekimi i dashurisë së shqiptarëve për njëri-tjetrin: “Ju do ta doni Shqipërinë aq sa do të doni njëri-tjetrin”.

A ishte pikërisht kjo thënie e Nënë Terezës ajo që u bë shkas për një debat me pjesëmarrje të gjerë publike, në qendër të të cilit qenë sloganet përcaktues për atdhedashurinë, cituar prej dy figurave të mendimit shqiptar: prof. Hamit Beqjes, i cili evokonte thënien e Pashko Vasës “feja e shqyptarit asht shqyptaria” dhe Fatos Lubonjës, i cili, përkundrazi, i përmbahej thënies së Nënë Terezës si bazë moderne e atdhedashurisë?

Kjo është e vështirë të thuhet prej nesh. Pjesëmarrësit në debat mund ta saktësojnë. Ajo që mund të pohohet pa ngurrim është se për herë të parë pas një shekulli, që prej thënies së urtë të Pashko Vasës, një slogan tjetër iu ofrua shqiptarëve si thelb i shprehjes së dashurisë së tyre për atdheun. Për ata që nuk i kanë harruar zhvillimet e gjysmës së parë të dekadës së shkuar, njohja me mesazhin edhe sot konfirmon se Nënë Tereza rronte me Shqipërinë.

Fryma e mesazhit shkon drejtpërsëdrejti, që po përjetonte Shqipëria në atë kohë. Kjo ishte e vetmja paralele me politikën e ditës në gjithë fjalën e saj. Gjithçka tjetër ishte mbikohore. Me sa dihet, ky është mesazhi i parë dhe i fundmë që Nënë Tereza i drejtoi popullit të saj.