Jeton me dy fëmijët mes pyllit dhe gjarpërinjve/ Gruaja tregon si i morën 45.000 euro dhe i mashtruan me apartamentin në qendër

Në fshatin Belishovë në Ballsh jeton Vjollca Gjini, së bashku me dy fëmijët e saj dhe vjehrrën. Bashkëshortin ajo e humbi para një viti. Ai ndërroi jetë në moshën 46-vjeçare për shkak të një sëmundje të rëndë. Emisioni “Shqiptarët për shqiptarët” ka treguar historinë e dhimbshme të Vjollca Gjinit.

Ajo jeton me fëmijët dhe vjehrrën në një shtëpi mes pyllit, që nga dita në ditë rrezikon të shembet. Fëmijët e saj jetojnë larg njerëzve e mes gjarpërinjve. Fëmijët çdo ditë përballen me rrezikun për jetën. Vjollca ka treguar se ajo ka blerë një apartament në qytetin e Fierit por ua ka shitur pronari pa dhënë asnjë shpjegim. Mes lotësh ajo ka treguar

Në Belishovë nuk banon njeri, është fshat i braktisur. Jetoj me dy fëmijët dhe vjehrrën këtu në mes të pyllit. Unë dhe burri u njohëm në 2006, lindën fëmijët. Burri punonte në Greqi emigrant në bujqësi. Unë isha këtu me prindërit e tij. Ai andej grumbulloi disa të ardhura, morëm një apartament në Fier 52 milionë. Kur shkuam atje apartamenti ynë ishte shitur tek dikush tjetër. Burri kishte sakrifikuar shumë për ti mbledhur ato para, u stresua jashtëzakonisht. Pas 2 javësh ai u sëmur keq. Vuajti 6 vjet dhe nuk i mbijetoi dot.

Sebepi ishte ai apartament që ne nuk e morëm dot. Ëndrra e tij ishte që fëmijët t’i çonim në Fier të shkolloheshin atje. Ëndrra e tij vdiq. Ai sakrifikoi shumë djersa e tij u shkel ashtu. Nuk e përshkruaj dot. Kur e kuptoi se do vdiste më tha të largoja fëmijët. Unë kisha ngrirë, isha pa fjalë, u hutova. Kunati tha tani na keni ne. E vuajmë shumë humbjen, vjehrra qan gjatë gjithë kohës.

Mbushem me ankth, jemi vetëm dhe e kemi kaluar atë helm pa njerëz. Jetojmë në mes të pyllit mes gjarpërinjve, kemi frikë, s’ka njerëz, shtëpia po na bie. Dritaret janë kalbur”. Vjollca Gjini nuk e di përse është shitur shtëpia e saj pa dhënë asnjë lloj shpjegimi nga pronari.