Gjermania mbështet Lajçakun për ndryshimet kushtetuese


Për herë të parë, publikisht e tha Miroslav Lajçak në Beograd. Por ndryshimi i Kushtetutës së Kosovës për t’i hapur rrugë krijimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë, sipas burimeve të Klan Kosovës, ishte ide e gjermanëve. Në një përgjigje për Klan Kosovën, zëdhënësi i Qeverisë Federale, që preferon t’i referohet vetëm si i tillë, nuk e konfirmon se e ndërmorën hapin të parët.

Por, thotë se shteti i tij Lajçakun e përkrahin në çdo pikë. ”Gjatë miratimit të marrëveshjeve ndërkombëtare dhe përfshirjes së tyre në legjislacionin kombëtar, disa amendamente mund të jenë të nevojshme, edhe në Kushtetutën Kombëtare. Kështu që ne pajtohemi plotësisht me përfaqësuesin e BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak, se ndryshimi i kushtetutës nuk duhet të përjashtohet si mundësi”, ka thënë zyrtari i lartë gjerman për media i qeverisë.